Programi 5 ditor i Trajnimit “Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit për Ngritjen e Kapaciteteve të Sistemit Gjyqësor në drejtim të Raportimit Financiar”

Shkolla e Magjistraturës, me mbështetjen e Bankës Botërore, përfundoi programin 5 ditor të trajnimit në kuadër të projektit "Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit për Rritjen e Kapaciteteve të Sistemit Gjyqësor në drejtim të Raportimit Financiar" në bashkëpunim me Institutin e Financave Publike dhe Kontabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Firmën UHY-ELITE.

Programi i trajnimit realizoi ngritjen e kapaciteteve të një grupi prej 80 magjistratësh (gjyqtarë dhe prokurorë) në detyrë përsa i takon kuptimit më të mirë të parimeve kontabël dhe të raportimit financiar, familiarizimin me raportimin financiar dhe rritjen e kompetencave vendimmarrëse për interpretimin e duhur të përgjigjeve/raporteve të ekspertëve kontabël (përfshirë kontekstin ligjor) nga magjistratët në detyrë si dhe identifikimin e situatave ku mungon përgjigjia e besueshme.

Aktivitetet u realizuan në rrethe gjyqësore të ndryshme të vendit me synimin e një gjithëpërfshirjeje të të gjithë magjistratëve si në Vlorë, në Shkodër, në Pogradec dhe në Tiranë. Dita e fundit e trajnimit u zhvillua në ambientet e godinës Poli i Drejtësisë ku u realizua edhe testimi përkatës për vlerësimin e njohurive të fituara gjatë programit të trajnimit përsa i takon përmirësimit të aftësive në leximin dhe përdorimin e pasqyrave financiare si dhe interpretimin e evidencës kontabël.

Në mbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit dhe përmbylljen e programit e përshëndetën Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Z. Arben Rakipi, zv/Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Sh.T.Z. Philipp Arnold dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Z. Dritan Fino. Në fund për pjesëmarrësit u shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes për realizimin me sukses të programit të trajnimit.